Protestat qytetare, të cilat tashmë vijojnë prej 40 ditësh, nuk e ndryshojnë vendimin e kryeministrit Edi Rama për të vijuar me investimin e Jared Kushner në Zvërnec.
Për median italiane “Corriere della Sera”, kreu i qeverisë u tregua i prerë në qëndrimin e tij, ndërsa sqaroi se nuk frikësohet nga tubimet.
“Jo. Nuk kam frikë nga administrata amerikane, as nga mediat sociale, as nga turma. Kam përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit, as zhurma globale pro ose kundër Trump. Kriteri do të jetë një: a i përmbush projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, vazhdon. Nëse jo, nuk e bën. Pikë.”, tha Rama.
E njëjta qasje e Ramës ishte edhe sa i përket kërkesave të protestuesve për dorëheqjen e tij, duke dhënë si mundësi të vetme për largim zgjedhjet.
“Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votimit. Unë kam një mandat të qartë. Kushdo që mendon se duhet të largohem, ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhje. Kjo është demokraci. Një ultimatum nuk është demokraci.”
Shefi i ekzekutivit përjashtoi mundësinë që protestat të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Jo. Protestat paqësore nuk e dëmtojnë procesin. Përkundrazi, ato tregojnë një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i sundimit të ligjit me presionin e rrugës, ose kthimi i dezinformimit në politikat publike.”
Për median italiane, Rama u shpreh se është i hapur për dialog me protestuesit të cilët janë realisht të shqetësuar për investimin, ndërsa pretendoi edhe një herë për ndërhyrje të huaja, të cilat, sipas tij, nuk vijnë nga qytetarët në rrugë, por janë ndërhyrje digjitale që përdoren për interesa keqdashëse ndaj Shqipërisë.
/vizionplus.tv





