Përballja gjyqësore mes ish bashkeshorteve Meta- Kryemadhi dhe SPAK që i ka vënë nën akuzë, vazhdon. Dy të pandehurit kundërshtojnë provat e prokurorisë që faktojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të të ardhurave. Këtë seancë ish- presidenti i kërkoi gjykatës t’i përligjë avokatin Bujar Musta, në vend të të mëparshmit, Kujtim Cakrani.
Në fjalën e tij, ai kërkoi që të mos merret parasysh dëshmia e ish ministrit të ndjerë, Dritan Priftit dhe as intervista e Vojsava Ismailajt, gruas së ish administratorit të DIA-s Kastriot Ismailajt që vite më parë mbante detyrën e administratorit të kompanisë “DIA”.
“Vojsava Ismailaj e dha intervistën pasi më dërgoi një SMS, me të cilën kërkonte të takoheshim, por unë refuzova ta takoja. Më 5 janar kam njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe, si pasojë, u regjistrua një çështje. Sipas informacionit që kam pasur në atë kohë, zonja kishte lidhje me elementë destabilizues”, tha Meta.
Pas Metës, fjalën për të kundërshtuar aktakuzën emori Monika Kryemadhi. Ajo pretendoi se mënyra sesi SPAK ka siguruar provat është e paligjshme sepse ato janë ekstraktuar nga celulari i saj i sekuestruar kur Kryemadhi ishte deputetet e kuvendit.
“Organi i akuzës nuk duhej të vinte për kontroll në banesën time, pasi unë isha deputete. Organi i akuzës e dinte që ne jetonim në një banesë. Organi i akuzës e dinte që, kur është bërë kontrolli, është kontrolluar dhoma ime e gjumit, pavarësisht se ishte në emër të Fatime Kryemadhit. Sekuestrimi i atij telefoni duhet të shpallet i paligjshëm dhe provat e nxjerra prej tij si të pavlefshme. Akuza është shumë seksiste. Për cdo veprim e paskam bërë unë. Pra, del që unë paskam qenë shërbëtorja. Bashkëpunimi im me Ilir Metën janë vetëm 3 kalamajtë. Ilir Meta kishte hallin e Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi.
Tri janë episodet për të cilat Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen nga SPAK: CEZ DIA, lobingu në SHBA dhe disa fatura shëndetësore për të cilat nuk dihet origjina e parave.





