“Jo qeveri teknike”, Dashamir Shehi: Ja si zgjidhet kjo krizë e madhe politike në Shqipëri

Ish-deputeti Dashamir Shehi ka shpjeguar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit se si mund të dilet nga kjo krizë politike.
Shehi tha se ajo që ndodh në shesh nuk është një protestë mes dy palëve, por një krizë e fortë politike, e cila zgjidhet vetëm përmes dialogut politik.
Sipas tij, vendi nuk ka nevojë për një qeveri teknike, por për një qeveri politike ku të jenë të përfshira të gjitha palët.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Si zgjidhet, mendoni ju, kjo situatë?
Shehi: Unë them se duhet t’i dalim përpara kësaj krize politike. Kjo kërkon mjete politike për të dalë prej saj. Në këtë lloj beteje, policia fiton, ore, se policia ka mjete. Çfarë do të bëjë, do t’i arrestojë? Por kjo lloj krize shpërthen sërish nesër. Prandaj duhet një zgjidhje politike. Nga fillon kjo zgjidhje politike? Nga ai që është fillesa e krizës, që është kryeministri. Duket sikur është një dramë e madhe: “Si do të iki unë?”. Po do të ikësh, mo, se nuk të do populli yt, edhe sikur 20% të mos të dojë. Në Angli ka ikur dy herë ai, katër herë ata të tjerët.
Unë, nga eksperienca ime, por edhe ai e di, them se dhuna prodhon dhunë dhe Shqipëria nuk e ka kurrizin për të përballuar dhunë. Prandaj duhet të fillohet me largimin.
Unë them të bëhet një qeveri e re. Jo, thonë qeveri teknike, por ajo nuk hyn në punë fare. Unë vetë kam parë tri të tilla. Unë them të bëhet një qeveri për Europën. A e do Europën ky? Po i vëmë një emër më të bukur: “Qeveria për Europën”. Ditën që bëhet kjo qeveri e re, do të kalojë kriza. Po vijoi lufta guerile, Europa ka ikur dhe nuk na fut. Le ta bëjnë socialistët, e kanë shumicën në Parlament, por qeveria të jetë e përbashkët me palën tjetër, edhe me ata që janë në shesh.
Dudushi: Po kush i përfaqëson?
Shehi: Po çfarë rëndësie ka emri? Dy profesorë. Ky është akti i parë që mund të bëjë Kuvendi. Po çfarë merr përsipër kjo qeveri? Puna e parë janë negociatat për Europën. E dyta, merr përsipër të bëjë zgjedhjet me një ligj të ri zgjedhor, qoftë për zgjedhjet lokale, qoftë për ato politike. Kjo i hap rrugën kthimit në një institucion politik. Por me ligjin që është sot, gurin do të kapin. Këtu nuk ka asnjë shans të çash rrethimin.
E treta, çfarë bën kjo qeveri? Bllokon ligjin për PPP-të, ligjin për malet, investimet strategjike, zonat e mbrojtura, pra katër-pesë ligje që kanë prodhuar hajdutllëk. Kjo qeveri ka një mandat të tillë: ka mandatin moral të mbështesë SPAK-un, t’i bjerë, qoftë majtas, qoftë djathtas. Sepse pastaj të dyja palët do të dorëzojnë hajdutët e vet.
Dhe, e fundit fare, do të shkojë të atakojë këtë lloj marrëveshjeje. Le të ngrenë një komision për të ndryshuar Kushtetutën, sepse kjo qeveri e dobët, këto institucione të dobëta… Ne jemi qeverisur nga njerëzit dhe, nëse sot sistemi është i dobët, kjo ndryshon nga marrëveshja e vitit 2008.
Që të rrëzosh qeverinë ti atje, nuk e rrëzon dot. U mbyll kjo punë, kjo qeverisje e ka mandatin. Ja ku janë zgjedhjet lokale. Në Shqipëri ato janë politike dhe kuptohet se cila është harta e re politike në Shqipëri. Nëse kësaj qeverie i shkojnë punët mirë, le ta mbyllë mandatin.
Në Gjermani e kanë mbyllur mandatin me qeverisje të përbashkët. Dhe ja, prapë Rama bëhet gati për zgjedhje, por liroje përkohësisht vendin, të hyjmë në Europë. Kjo qeveri të fut në Europë, por ky, po të jetë ai, nuk të fut në Europë, sepse e kuptuan që populli i vet nuk e do më.
Pse e them unë kështu? Në vitin 1997 nuk u ndërhy politikisht dhe përfunduam ashtu. Ne i bëmë me kolegët e mi një kërkesë më 14 maj, nuk u pranua. Në vitin 1998, a iku zoti Nano? Po, iku. Ia la një çuni të ri, i cili qetësoi situatën dhe shteti u ngrit në këmbë. Kaq dramatike qenka që të largohet një person që ka 14 vjet në pushtet, që të largohet për 14 muaj nga kjo punë?



