Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama lidhur me Albanian Files sollën reagimin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Me anë të një videomesazhi, kryedemokrati u shpreh se projektet në atë libër, dëshmojnë mungesën e transparencës së qeverisë ndaj qytetarëve.
“Ky libër dëshmon dhe njëherë mungesën e plotë totale të transparencës dëshmon përsëri se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo një bajrak të tij. Përpiqet, rreket të paraqesë emra, studio e të tjerë si mburojë, por në fakt dhe këtu harron se njerëzit kanë në memorien e tyre, në kulturën e tyre raportet më të shëmtuara me diktatorët, me despotët në kohëra i kanë patur arkitektët dhe kjo kështu ka qenë edhe në diktaturën hoxhiste”, tha Berisha.
Madje Berisha ngriti disa pikëpyetje mbi paratë që do të shpenzohen për këto projekte.
“Ka dy momente shumë të rëndësishme. Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre. Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve?”, shtoi Berisha.
Në deklaratën e tij, kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin edi rama si personin që po vjedh paratë e shqiptarëve, ndërsa i cilësoi kërkesat e protestuesve legjitime.





