Muzika baroke spanjolle mbushi në fundjavë Galerinë e Arteve Dixhitale në Korçë, në kuadër të edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke. Koncerti me titull “Amor, Fey, Locura” u mirëprit nga artdashësit korçarë, të cilët ndoqën me interes një program të pasur artistik.
Artistët spanjollë, të shoqëruar nga një grup balerinësh dhe një aktor, sollën një ndërthurje të muzikës, interpretimit skenik dhe vallëzimit, që rikrijoi atmosferën e epokës baroke.
“Është hera e parë në Shqipëri, jemi shumë të nderuar që jemi në këtë koncert, ndihemi shumë mirë. Jemi të bindur që muzika jonë do u pëlqejë. Programi trajton tre tema, dashurinë,besimin dhe shpresën. Jetojnë bashkë të treja. Gjithë artistët kane shkruar për këto tre tema dhe koncerti trajton dritën tek njeriu”, tha Cecilia Veçhio, regjisore
“Kemi kërcim të bashkuar me muzikën i dedikojmë 35 vjetorit të emigrimit të shqiptarëve në 91, isha një nga ata qe emigroi në anije. Ndërthuret muzika baroke me 3 balerinë e një aktore që trajton tragjedinë shqiptare të emigrimit. Do ekzekutohet falë mbështetjes së orkestres se harqeve, do luajmë pjesët e vjetra arbëreshe, dy emigrimet me të mëdha që ka bërë Shqipëria. Kjo është e rëndësishme per të kujtuar, se kemi njerëz që e kanë ndierë emigrimin, motëra vëllezër familjare.”, u shpreh Jusuf Beshiri, drejtor i festivalit “Vox Baroque”.
Interpretimet e artistëve u duartrokitën gjatë nga publiku, ndërsa koncerti konfirmoi edhe një herë interesin që Korça vazhdon të ketë për aktivitete kulturore të këtij niveli.





