Porti i Durrësit mirëpriti sot anijen kroçierë “Nautica”, pjesë e flotës së kompanisë Oceania Cruises, e cila u ankorua në kalatën nr. 5 me 665 turistë në bord, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera.
Anija, me gjatësi 181 metra dhe me flamur të Ishujve Marshall, rikthehet edhe këtë vit në Portin e Durrësit, si pjesë e itinerarit të saj në Mesdhe.
Gjatë qëndrimit ditor, turistët po vizitojnë Durrësin dhe destinacione të tjera me interes historik, kulturor dhe turistik.
Me mbërritjet e njëpasnjëshme të anijeve turistike gjatë ditëve të fundit, Porti i Durrësit ka hyrë zyrtarisht në sezonin e kroçerave, duke vijuar të mirëpresë vizitorë nga vende të ndryshme të botës.





