Noemi sapo ka përfunduar klasën e parë në Shkollën e Baletit në kryeqytet.
Për vajzë n 7 vjecare, baleti mbetet një dëshirë e fortë dhe ë ndrra e saj është që një ditë të performojë në skena të mëdha.
“Kam qenë në kurse baleti dhe i thashë mamit që dëshiroja të vija në këtë shkollë baleti. Mami më tha që është një shkollë shumë e bukur dhe do të dalësh shumë mirë. Unë jam ngjitur disa herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. U ndjeva shumë e lumtur dhe u duartrokita.Unë, kur të rritem, dua të bëhem një balerinë e njohur dhe të ngjitem në skena të mëdha”, tha Noemi Selita, nxënëse, Shkolla e Baletit
Mamaja e Noemit tregon se e ka mbështetur në këtë dëshirë të shprehur prej vitesh, fillimisht me kurse baleti, e më pas me regjistrimin në Shkollën e Baletit.
“Baletin e ka me pasion. Programin e kanë si shkollat e tjera; baleti është një aktivitet shtesë dhe ku ka më mirë se fëmija të angazhohet me diçka. Ajo e ka me dëshirë këtë pjesë dhe patjetër do ta mbështes në çdo moment të saj. Pasionet duhen ndjekur dhe jam pro kësaj gjëje”, u shpreh Ejona Kovaçi, mami i Noemit.
Nxënësit ndjekin njëkohësisht edhe lëndët bazë të arsimit parauniversitar, ndërsa drejtoresha e shkollës, Blerina Arbana, shpjegon mënyrën se si është organizuar programi mes formimit artistik dhe atij akademik.
“Nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, plani mësimor është i njëjtë si në të gjithë arsimin parauniversitar. Nga gjimnazi funksionon si kurrikula e përgjithshme, ashtu edhe ajo artistike. Kurrikula e përgjithshme zë 30%, ndërsa ajo artistike 70%”, deklaroi Blerina Arbana, drejtore, Shkolla e Baletit.
Shkolla Kombëtare e Baletit mbetet institucioni i vetëm arsimor në vend për formimin e balerinëve dhe koreografëve të rinj. Si shkollë me cikël të mbyllur, ajo u ofron nxënësve jo vetëm edukim artistik profesional, por edhe diplomën e maturës shtetërore.
Prej vitit të kaluar, dyert e saj janë hapur edhe për nxënësit e klasës së parë, duke krijuar mundësinë që talentet të nisin rrugëtimin e tyre artistik që në moshë të hershme, ndërsa shkolla pret nxënësit që duan të regjistrohen edhe gjatë gjithë vitit akademik.





