Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e dhunës në familje të ndodhur në lagjen 1 të qytetit të Pogradecit.
Çifti, Muhamet Shembilko, 78 vjeç, dhe Sherife Shembilko, 69 vjeçe, jetonin vetëm në banesën e tyre, ndërsa dy fëmijët i kishin në emigracion.
Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë pasi kanë dëgjuar zhurma nga banesa. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët kanë gjetur 69-vjeçaren të mbytur në gjak, me plagë të rënda.
Nga hetimet e para dyshohet se 78-vjeçari e ka goditur bashkëshorten me një shkop në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar plagë të rënda.
E plagosura u transportua fillimisht në Spitalin e Pogradecit dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, 78-vjeçari është shoqëruar nga policia, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.





