Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 15 shtetas në lidhje me protestën e zhvilluar në kryeqytet, duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Sipas njoftimit zyrtar, të proceduarit janë: A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K.
Nga hetimet rezulton se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar nga ora 19:00 deri në 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vijoi edhe në disa akse të tjera rrugore të Tiranës, përfshirë Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe segmente të Unazës.
Policia thekson se gjatë lëvizjes u bllokua qarkullimi i automjeteve, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e parashikuar në njoftimin zyrtar të organizatorëve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona celularë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





