Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e së hënës në Lushnjë.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Çermë-Proshkë, përgjatë aksit rrugor nacional Çermë–Divjakë, ku një grua 71-vjeçare, e identifikuar si Ike Dervishi, ka humbur jetën teksa po tentonte të kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën.
Sipas të dhënave paraprake, e moshuara është përplasur nga një motoçikletë që drejtohej nga 24-vjeçari Leandro Xhillari. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa 71-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.
Menjëherë pas aksidentit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë shoqëruar drejtuesin e motoçikletës dhe po kryejnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekjen që shënohet në Lushnjë gjatë dy ditëve të fundit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit vijojnë./vizionplus.tv





