Për herë të parë vendosen rregulla të qarta për ofrimin e shërbimeve shëndetësore ndaj turistëve të huaj, në qendrat verore të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, me tarifa të publikuara paraprakisht.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore të Pogradecit.
“Ky urdhër vendos për herë të parë një kuadër të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara për shtetasit e huaj në institucionet shëndetësore publike”, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala.
Sipas kuadrit të ri, përcaktohen rastet kur turistët përfitojnë shërbime falas, tarifat për shtetasit jo-rezidentë, si dhe informimi i pacientit mbi kostot e trajtimit dhe lëshimin e dokumentacionit financiar përkatës.
Ministrja Sala sqaroi se të ardhurat e gjeneruara nga tarifat do të përdoren për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore publike.
Që nga fillimi i sezonit veror 2026, në të gjitha qendrat shëndetësore verore janë trajtuar 4,940 pacientë, ndërsa diagnozat më të shpeshta kanë qenë hipertensioni arterial, alergjitë dhe virozat e stinës.
Aktualisht, në të gjithë vendin funksionojnë 36 qendra të tilla me 301 mjekë dhe infermierë.
/vizionplus.tv





