Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar zyrtarisht Eric Wendt në postin e ambasadorit, pas një votimi të ngushtë me 51 vota pro dhe 47 kundër.
Votimi në seancën plenare vjen pas miratimit të mëparshëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij arriti të marrë mbështetjen e shumicës së anëtarëve.
Me këtë votim, Wendt ka përmbushur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme për emërimin e tij si ambassador i Shqipërisë.
Ambasadori i ri pritet të marrë zyrtarisht detyrën në ditët e ardhshme, në përputhje me kalendarin e tranzicionit të administratës amerikane.
Kush është Eric Wendt?
Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.
Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.
Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.
Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.





