Është çelur sezoni turistik në bashkinë minoritare të Pustecit, një nga destinacionet më të vecanta turistike që juglindja ka. Parku Kombëtar i Prespës vitet e fundit ka përjetuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve, sidomos të turistëve të huaj, të cilët ndihen të mrekulluar me natyrën, liqenin, ishullin e Maligradit dhe kuzhinën tradicionale të zonës.
“Jam nga Holanda, është hera e parë këtu, jam për pushime, erdhëm vetëm një ditë por njerëzit më mrekulluan. Janë mikpritës shumë”, tha turistja holandeze.
“Vij nga Selaniku, erdha këtu dje dhe ndihem shumë mirë. Me pëlqeu gjithçka”, tha turistja greke.
“Ka disa vite që ka marrë zhvillim të mirë. Vijnë nga jashtë, turistë nga Gjermani, Franca, motoriste, çiklista, flejne Në makina buzë liqenit. Këtu kur vijnë vetëm peshk duan, vetëm peshk kërkojnë”, u shpreh një operator.
“Patjetër, interesi i turistëve është më i madh, hoteli punon me turistë të huaj, shqiptarët tek restoranti. Kërkojnë gatimet tradicionale të zones, peshkun e mishin”, shtoi operatori.
Kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolefski shprehet se banorët e zonës e kanë kuptuar se turizmi është çelësi i ekonomisë së Parkut Kombëtar të Prespës dhe ata vet janë orientuar drejt kësaj fushe.
“Njerëzit janë bërë me të vetëdijshëm dhe kanë hapur bujtina të vogla. Janë disa familje që kanë shtuar akomodimet për turistët. Kjo tregon se ka një fluks të shtuar, ka akoma nevojë për të shtuar ofertën. Investime më të mëdha nga sektori privat tek restorantet. Ne kemi parë se këtë vit ka nisur sezon turistik i mbarë. Të huajt janë bërë shumë të rregullt me agjenci turistike”, tha Pali Kofelfski
Ishulli i Maligradit dhe kisha historike e saj, Zaroshka, Pusteci, Gollomboci dhe Muzeu i Sterjo Spases, Gorica dhe ujërat e liqenit të Prespës që lagin tre shtete janë vetëm pak nga ato që kjo zonë ofron, duke u kthyer në një nga destinacionet me të kërkuara të turistëve të huaj.





