Partia Socialiste ka festuar ditën e sotme në “Sheshin Italia” 35-vjetorin e themelimit, mes mijëra simpatizantëve dhe mbështetësve.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së, u ndal edhe te protesta në Bulevard, e cila është në ditën e 13-të radhazi.
Ai tha se, veç ambientalistëve, atyre që duan mjedisin dhe të rinjve, në protestë ka edhe nga ata që duan të rikthehen në lojë, si dhe forca nga jashtë që hedhin gurin dhe fshehin dorën.
“Jam i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në një protestë me natyrë politike. Legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij dhe krejt normale.
Asgjë jo normale edhe në faktin se, megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe hallin e kanë se po u dëmtohet sezoni nga anulimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshme hedhin në Bulevard gurët, deri nga Kosova e Tetova, dhe fshehin dorën, njësoj si opozita e këtushme që derdh në Bulevard prurjet e kënetës së vet, grushtshtetasit e rraskapitur të ’98-ës e deri te tabakatë që mbi taka mbledhin pëlqime duke ecur me pasqyrë përpara dhe duke qarë hallin e popullit.
Ndërkohë, edhe partitë e reja, që mbeten të vogla, por u bënë të vjetra, kërkojnë edhe ato një copë aty në prurjen e re të protestës”, tha ai.





