Kryeministri Edi Rama, gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste që u mbajt në “Sheshin Italia” në Tiranë, nënvizoi se e gjithë bota është ngritur në garë, sa i përket investimeve në vendin tonë.
Ai nënvizoi se vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane shkruan në shqip “Rama ik”.
Rama: Protesta e atyre që janë të shqetësuar për Zvërnecin është bio, por ajo që bëjnë vendet e tjera është shfrytëzimi i protestave bio dhe mërzive, sikletive dhe alarmeve bio. Vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane shkruan në shqip “Rama ik”. Nuk është e rëndësishme se sa shumë ka lidhje të drejtpërdrejta një armik që futet e do të bëjë çorap vendin tënd. E gjithë bota është ngritur në garë. Edhe ne jemi ngritur në një konkurrencë me ata që kanë vite që e zotërojnë këtë treg. Dhe ne ose do të pranojmë që do të rrimë mbrapa, ose do të vazhdojmë të kalojmë në ligën e tyre përfundimisht. Ose do të vazhdojmë, ose, në të kundërt, ne do të jemi vendi ku turistët do të vijnë me bukë me vete. Ose do të vendosim të bëhemi siç është Dubai, në kuptimin e atraksionit në Lindjen e Mesme. Ne kemi frikë të rritemi, të pasurojmë popullin.
Ne jemi PS. Taksirati i të qenurit i madh është se duhet të përballesh me të gjitha dallgët, stuhitë dhe pengesat, dhe ne jemi shumë të fortë, shumë të pathyeshëm për të mos na pranuar kështu si jemi. Ne jemi këta që jemi, nuk kemi ndërmend të bëhemi ata që nuk i duhen dreqit. Shqipëria e 2030 do të jetë në BE, vendi për të cilin ne do të jemi krenarë. Jini ambiciozë, ëndërroni, sepse është një popull i tërë që na ka zgjedhur për të udhëhequr.
/vizionplus.tv





