Dështon për të dytën herë gjyqi për dosjen “Veliaj”. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në gjykatën e Posaçme, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Trupa e re gjyqësore, e cila u rishortua pasi 11 të bashkëpandehur në çështje kërkuan gjykim të shkurtuar, i vendosi në dispozicion Veliajt 24 fashikuj gjyqësor.
Ndërkaq në seancën e kësaj të mërkure, nuk ishin prezentë katër avokatë, mungesa e të cilëve shkaktoi pezullimin e afateve të paraburgimit për 18 të pandehurit e dosjes. Kjo u kundërshtua me forcë nga avokati i Veliajt, pasi vendimi i përbashkët nuk ishte shkaktuar prej tij duke e quajtur shkelje flagrante të ligjit.
“I mbrojturi prej meje nuk është bërë asnjëherë pengesë për vijimin e gjykimit, madje në deklaratën që lexuat ai thotë se nuk do paraqitet por do të përfaqësohet prej meje. Nuk ka pse i pezullohen afatet e paraburgimit”, tha avokati Plarent Ndreca.
Më tej Plarent Ndreca tha se do kërkojë nxjerrjen nga kafazi të Veliajt duke e konsideruar shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
“Do t’i kërkojmë gjykatës nxjerrjen nga kafazi të të mbrojturit prej meje”, shtoi Ndreca.
Disa ditë më parë, në procesin e ndarë me procedurë të shkurtuar SPAK kërkoi dënimin e të pandehurve, por heqjen e lirisë me burg e pezulloi në punë publike. I vetmi që sipas prokurorisë së posaçme meriton të dënohet me kohë burgimi në qeli është Elman Abule, biznesmeni që akuzohet për pastrim parash. Sipas dy prokurorëve të dosjes, Altin Dumani dhe Ols Dado ai duhet dënuar me 4 vjet e 8 muaj izolim në qeli. Erion Veliaj akuzohet se ka kryer korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim edhe me gruan e tij, Ajola Xoxa.





