Mes panoramës së jahteve të ankoruara në Marina Orikum, është prezantuar zyrtarisht “Yacht Club Albania”, një nismë që synon të bashkojë në një komunitet të përbashkët sipërmarrës, investitorë dhe të apasionuar pas detit. Drejtuesja e klubit, Xhoana Bogdani, e ftuar në “Live në Mëngjes” në Vizion Plus shpjegon se projekti synon të krijojë jo vetëm aktivitete dhe eksperienca në det, por edhe një rrjet bashkëpunimi dhe mundësish të reja mes anëtarëve.
Bogdani tregon se ideja për krijimin e këtij komuniteti lindi nga pasioni për detin dhe dëshira për të bashkuar njerëz me interesa të përbashkëta.
“Duke u nisur nga pasioni që kam për detin…duke u nisur nga ky fakt pse jo mos të kishim një komunitet që të ketë njerëz të cilët ndajnë të njëjtin pasion për detin, stilin e jetës në det dhe njëkohësisht të jetë edhe një burim network-u midis sipërmarrësve dhe investitorëve të ndryshëm që do jenë pjesë e grupit”, tha Bogdani.
Sipas Bogdanit, klubi do të funksionojë si një organizëm i përbashkët, ku çdo anëtar do të ketë rol aktiv në zhvillimin e aktiviteteve dhe projekteve.
“Nuk ka një drejtues, unë do jem koordinatorja. Do t’i përkasë të gjithë anëtarëve dhe i gjithë projekti do të funksionojë me energjinë dhe kontributin që do të japë secili anëtar”, sqaron Bogdani.
Ajo sqaron se pjesëmarrja në komunitet nuk kushtëzohet nga posedimi i një mjeti lundrimi, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen gjatë gjithë vitit.
“Nuk është domosdoshmëri të kesh një mjet lundrimi. Do funksionojë në dy mënyra. E para janë eventet që janë më të hapura dhe janë më të gjera, që mund të marrin pjesë më shumë pjesëmarrës. Më pas nga eventi do të ketë një filter për pjesën e anëtarëve që janë të ndarë në dy nivele, silver dhe lead. Aktivitetet do të jenë edhe gjatë dimrit. Do të jenë më të moderuara në dimër, por që do organizojmë aktivitete që grupi”, tha Bogdani.
“Yacht Club Albania” synon të shtrihet fillimisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mbledhur profesionistë dhe sipërmarrës nga fusha të ndryshme.
“Fokusi është në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Përgjithësiht janë njerëz që janë CEO, investitorë, sipërmarrës nga fusha të ndryshme, të cilët kanë edhe një lloj influence. Qëllimi i “Yacht Club” nuk është vetëm argëtimi, por do jetë edhe një mundësi që njerëzit përmes njëri-tjetrit të krijonë edhe lidhje, bashkëpunime që i sjell zhvillim në biznesin e tyre”, tha Bogdani.
Një nga kriteret kryesore për t’u bërë pjesë e klubit është fryma pozitive dhe pasioni për detin, ndërsa në të ardhmen synohet zgjerimi edhe përtej kufijve shqiptarë.
“Rregulli i parë dhe i panegociueshëm është që duhet të jesh pozitiv. Pjesa e të pasurit një biznes, të jetë sipërmarrës në nivele të ndryshme dhe të ketë dëshirën dhe pasionin për detin dhe nautikën. Për momentin jemi të fokusura vetëm të Shqipëria por vizioni dhe misioni është që të jetë ndërkombëtarisht sepse nëse ai është kverë për grupin sigurisht që do jetë pjesë”, tha Bogdani.
Bogdani bën të ditur se qendra kryesore e aktivitetit do të jetë në Marina Orikum, ndërsa klubi do të ketë prani edhe në Tiranë.
“Zyrën e kemi në Marina Orikum, dhe këtu në Tiranë njëkohësisht por qendra do jetë në Marinë”, përfundoi ajo.
Më 20 qershor do të organizohet aktiviteti i parë i dedikuar anëtarëve të komunitetit, duke shënuar nisjen e një kalendari eventesh që synojnë të ndërtojnë ura bashkëpunimi, miqësie dhe përvojash të përbashkëta.





