Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi ushtria amerikane kreu një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake dhe sistemeve të vëzhgimit iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), avionët luftarakë amerikanë goditën sisteme të mbrojtjes ajrore, qendra kontrolli tokësore dhe radarë iranianë në afërsi të Hormuzit. Uashingtoni e cilësoi operacionin si një “përgjigje proporcionale” pas incidentit me helikopterin ushtarak.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj 21 objektivave amerikane në rajon, përfshirë baza ushtarake në Bahreini, Jordani dhe zona të tjera të Gjirit.
Autoritetet në Bahrein konfirmuan se u aktivizuan alarmet ajrore, ndërsa Kuvajti njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore po përballeshin me objektiva armiqësore.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se helikopteri i rrëzuar po patrullonte në Ngushticën e Hormuzit dhe se dy pilotët janë shpëtuar pa lëndime. Ai theksoi se SHBA-ja ishte e detyruar të reagonte ndaj sulmit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi se Teherani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim, duke i bërë thirrje forcave të huaja të largohen nga rajoni nëse duan të shmangin rrezikun.
Përshkallëzimi i fundit vjen në një moment delikat për rajonin, pasi përpjekjet diplomatike për një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit rrezikojnë të dështojnë përballë shkëmbimit të ri të sulmeve ushtarake.





