“Rama n’burg, Berisha n’burg”, Këlliçi: Ishte kusht i “mikrofonit”. Bushati: Nuk është Lëvizja Bashkë pas

A mund të ketë bashkim mes PD-së dhe forcave të tjera opozitare, përfshirë edhe protestën? Kjo ishte një tjetër temë diskutimi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit.
Për analistin Andi Bushati, ajo që ndodh në protestë dhe ajo që pretendon PD-ja janë shumë larg njëra-tjetrës.
Sipas tij, slogani kryesor i protestës, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, e përjashton PD-në.
Por për nënkryetarin e PD-së, Belind Këlliçi, kjo është vetëm një pjesë e protestës që bën këtë thirrje.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Nëse nuk bashkoheni me askënd, faji i kujt është?
Këlliçi: Unë vij në këtë studio si përfaqësues i PD-së, partisë më të madhe opozitare. Unë po të them se as nuk vë kushte në tryezë, as nuk pranoj kushte. Unë them: hajde ulemi të gjejmë një zgjidhje për çdo bashki të vendit.
Nëse ne arrijmë të gjejmë një kompromis, këtu është faji historik i të gjithë opozitës nëse nuk gjejmë një marrëveshje. Çfarë duhet të bëjë më shumë Rama?
Rakipi: Javë më parë njerëzit dolën me thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”. Ju thatë se e bëri Arlind Qori.
Këlliçi: Që ajo ka qenë një slogan i nxitur nga një grupim i vogël që kontrollonte mikrofonin, ky është fakt.
Bushati: Asnjë eksponent i Lëvizjes Bashkë nuk e ka marrë mikrofonin.
Këlliçi: Jo, jo, ata kanë qenë nxitës të kësaj thirrjeje në turmë. Kushdo që ka menaxhuar mikrofonin, ju e dini që një nga kushtet ka qenë të thoje “Rama në burg, Berisha në burg”. Ajo protestë dështoi edhe për shkak të cedimit të mikrofonit.




