Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat ndaj Iranit, duke deklaruar se ky shtet është i përfshirë në protestat për Zvërnecin.
Përmes një statusi në rrjetin social X, ai ka replikuar me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane, i cili më herët kundërshtoi pretendimet e Ramës se Teherani është i përfshirë.
“Ja edhe qeveria e Ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, shkruan Rama.
Në reagim, kreu i qeverisë thekson se marrëdhëniet me Iranit janë të ndërprera kësisoj Shqipëria nuk mund të marrë leksione nga një vend që ka sulmuar vazhdimisht.
“Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve dhe institucioneve publike shqiptare, gjë që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se populli shqiptar nuk bie pre e manipulimeve të Teheranit.
“Botët tuaja, profilet e rreme dhe videot e manipuluara me teknologjinë ‘deepfake’ mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital helmin e regjimit tuaj të urrejtjes, por nuk do t’ia dalin askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, të gjithë jemi të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që e mban popullin e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim”, shkruan Rama.
Më herët, në një intervistë për “Associated Press”, kryeministri përsëriti qëndrimin se protestat masive nuk do të ndalojnë zhvillimin e projektit të Zvërnecit.





