Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “PlayStation”, duke arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në ambientin ku punonte.
Sipas autoriteteve, i riu dyshohet se shiste në doza kokainë, heroinë dhe kanabis brenda një ambienti “PlayStation”-i në qytet, ndërsa hetimet janë zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato Operacionale, u arrestua shtetasi Daniel Musta, 20 vjeç, banues në Durrës.
Nga kontrolli dhe veprimet procedurale u sekuestruan 69 doza kokainë (crack), 23 doza heroinë dhe një sasi kanabisi, të cilat dyshohet se ishin të destinuara për shitje.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
/vizionplus.tv





