Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësi”, duke zbardhur një sërë vjedhjesh të ndodhura gjatë muajve të fundit në zonat bregdetare.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë një 37-vjeçar nga Fushë Kruja, i cili dyshohet se ka vjedhur në banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti në territorin e Bashkisë Himarë, përfshirë zonat Dhërmi, Qeparo, Kuç dhe Himarë.
Hetimet e zhvilluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë përfshirë administrimin e pamjeve filmike, mbledhjen e provave dhe veprime të shumta procedurale, të cilat kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Autoritetet dyshojnë se i arrestuari është autor i disa vjedhjeve të kryera gjatë periudhës janar–qershor 2026, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.
/vizionplus.tv





