Aktivistja Luciana Koka, e ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus tha se protesta për Rrjollin dhe Zvërnecin nuk është organizuar nga forca politike, por ka lindur si reagim qytetar
Ajo gjithashtu mohoi që protesta të ketë lidhje me financime apo mbështetje nga Greqia.
Duke komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, Koka u shpreh se protestuesit nuk kanë ndërmend të hyjnë në negociata, duke e krahasur me protestën e studentëve , ku sipas saj dialogu ishte një kurth.
Aktivistja ka deklaruar se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec nuk kufizohet vetëm te kërkesa për anulimin e tij. Koka tha se qytetarët kërkojnë të ndryshohet ligji për zonat e mbrojtura, ligji i investitorëve strategjikë dhe ligji i paketës së maleve.
Pjesë nga biseda:
Luciana Koka: Nuk jam organizatore. Protesta ka ardhur nga Rrjolli. Rrjolli ka katër muaj që përballet me dhunë, me shoqërime. Unë jam shoqëruar 3 herë. Ka pasur gra shtatzëna të shoqëruara. Kur pashë atë djalin që u tërhoq zvarrë, jam ndjerë edhe unë e tërhequr zvarrë. Shtetin e mori i forti. Sa keq që nuk jemi në Zvërnec, se po të ishim aty do të ndërhynim, se s’kanë çfarë t’i bëjnë turmës së njerëzve. Gjëja e parë ka qenë të bashkohemi në protestë. Gjatë marshimit ishim shumë njerëz dhe na u bashkuan edhe rrugës shumë të tjerë. Marshimin e kemi bërë me këngë patriotike. Vendosëm të marshojmë drejt Kryeministrisë, sepse aty ishte problemi kryesor. Ideja ishte të mblidheshim për të protestuar, ishte kërkesë e qytetarëve për protesta të vazhdueshme. Nuk dua që protesta të lidhet me mbështetje apo financime greke. Ka pasur mbështetje nga partitë politike, do ta quaja dashamirësi nga forcat e reja. Ata të vijnë të mbështesin, por asnjëherë të mos jenë organizatorë dhe as të ngrenë flamujt e partive.
Borakaj: Keni kërkesa konkrete? Rama ju ftoi në dialog.
Luciana Koka: Ne nuk duam të biem në kurthin e studentëve, që bënë një punë fantastike dhe u mashtruan nga kryeministri. Ne e kemi thënë, nuk ka dialog. Njerëzit kanë qëndruar me orë të tëra, kemi ndjekur thirrjet e popullit. “Berisha burg, Rama burg” ishte thirrje nga qytetarët, shumë spontane. Nuk mjaftohemi me anulimin e projektit. Duam të ndryshohet ligji për zonat e mbrojtura, ligji i investitorëve strategjikë dhe ligji i paketës së maleve.
/vizionplus.tv





