Korça vijon të jetë një nga qytetet më të kërkuara nga turistët e huaj, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga vende të ndryshme të Europës perëndimore.
Përveç trashëgimisë kulturore, siteve arkeologjike, bukurive natyrore dhe gatimeve tradicionale, vizitorët e huaj po tregojnë interes të veçantë edhe për folklorin dhe vallet tradicionale të juglindjes.
Për dy ditë me radhë, koreografi Bardhi Pojani u ka mësuar vallet e krahinës së Korçës një grupi turistësh gjermanë.
“Është shumë bukur të mësosh vallet tuaja. Janë valle shumë të bukura. Vallja shqiptare ndryshon nga kërcimet tona gjermane. Ka një elegancë të veçantë.”
“Për mua është hera e parë në Shqipëri. Po kënaqemi shumë dhe qershia mbi tortë është të mësojmë kërcimet tuaja tradicionale. Është shumë bukur kur kapeni bashkë prej duarsh dhe luani. Korça është një nga qytetet më të qeta që kemi parë, një qytet plot kulturë.”
“Vallet tuaja janë burrërore. Të bëjnë të ndihesh i fortë. Do t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë kur të kthehemi në Gjermani.”
Sipas Gloria Nures, specialiste e muzikës në Qendrën Kulturore të Korçës, çdo vit shtohet numri i turistëve që kërkojnë të njihen nga afër me folklorin vendas.
“Me shumë kënaqësi presim turistë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, nga Ballkani, Europa e më gjerë. Këtë vit kemi turistë nga Gjermania, të cilët përveç muzeve, kuzhinës dhe qytetit, kanë shprehur dëshirën të njihen edhe me folklorin. Janë njohur me vallet tona popullore dhe kostumografinë korçare. Zakonisht turistët vijnë nga vendet fqinje, por edhe nga Gjermania, Italia e Greqia. Për habinë tonë, ata ndihen si në shtëpinë e tyre. Mësojnë vallet tona dhe na mësojnë edhe kërcimet e tyre”, thotë ajo.
Krahas valleve tradicionale, turistët e huaj po shfaqin interes në rritje edhe për jetën rurale të zonës. Ata vizitojnë fermat e bletëve, drufrutorëve dhe shpesh bëhen pjesë aktive e përgatitjes së gatimeve tradicionale.





