Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Florjan Kalaja, i ftuar në studion e emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, ka deklaruar se në vendin tonë ka një mbingarkesë të veprave penale që lejojnë procedimin me bashkëpunëtor drejtësie.
Ai argumeton se në legjislacionet europiane është e pakonceptueshme që bashkëpunëtor i drejtësisë të bëhet një individ që ka kryer veprën penale “Sheklje e rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen”, ndërkohë që në Shqipëri aplikohet.
Kalaja: Konkluzioni që kam arritur, janë 262 vepra penale që ne lejojmë procedimin me bashkëpunëtor drejtësie, flas për ato që nominohen në mënyrë individuale. Por ka edhe vepra penale të tjera që nuk janë të kryera individualisht. Në raport me atë që shoh te legjislacionet europiane, kjo shifër në Shqipëri është shumë e madhe dhe shkakton një lloj inflacioni të rëndësisë së institutit. Të parashikosh vepra penale të tipit “bashkëpunimi me drejtësinë mund të lejohet edhe për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, kjo vepër penale është e pakonceptueshme në legjislacionet europiane, se si mund të jetë objekt i bashkëpunimit me drejësinë, për shkak se bashkëpunimi me drejtësinë njihet në mënyrë të gjithëpranuar ndërkombëtare vetëm te krimet “okulte”, që do të thotë se shteti është i pamundur të përdorë mekanizma të tjera zbulimi dhe shkon te prova e vetme e mundshme, që premton suksesin e zbulimit.





