Shqipëria dhe Greqia po tentojnë të rikthejnë bisedimet lidhur me çështjen e kufirit detar, e cila ka mbetur pezull tashmë prej vitesh.
Në Tiranë, këtë të hënë ishte ministri i Mbrojtjes i Greqisë Nikos Dendias i cili zhvilloi disa takime për të diskutuar jo vetëm çështjet e mbartura mes dy vendeve por edhe për bashkëpunimin rajonal në disa sektorë.
Ai u prit nga Kryeministri Edi Rama, një takim i cili zgjati rreth një orë teksa bisedimet prekën disa fusha me interes të përbashkët.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e quajti Ministrin Dendias një mik të çmuar dhe një mbështetës të palëkundur të partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë.
Sa i përket çështjes së kufirit detar, qeveria shqiptare është shprehur se do të trajtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, një dakordësi e arritur më herët mes dy vendeve, por ende e panfilaizuar.
Më herët, ministri grek Dendias zhvilloi dhe një takim me homologun e tij shqiptar Ermal Nufin. Biseda u fokusua te forcimi i aleancës së NATO-s, bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve si dhe rritja e sigurisë në rajon.
Axhenda e ministrit Dendias vijoi me një drekë pune në rezidencën qeveritare si dhe me një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joanin.





