Qeveria paralajmëron ortakët në Aeroportin e Vlorës se përplasjet mes tyre dhe mbajtja peng e objektit nuk do të tolerohen dhe se për ta do të ketë penalitete.
Ministri Enea Karakaçi deklaroi se situata e krijuar po vlerësohet dhe se së shpejti do t’i jepet një zgjidhje në zbatim të kushteve të kontratës.
“Shteti ka dhënë konçesionin, ka mbikëqyrur zbatimin e kontratës dhe ka ndërhyrë vetëm kur interesi publik e ka kërkuar. Pavarësisht natyrës private të marrëveshjes, asnjë nuk ka të drejtë të mbajë peng obkektin, duhet të zbatojnë detyrimet kontraktore dhe të zbatojë funksionalitetin e aeroportit. Do të aktivizojmë klauzolat e kontratës. Aeroporti nuk është ende operacional. Klauzolat parashikojnë vendosjen e penaliteteve, për të cilat ministria në varësi të vonesave dhe të kushteve të kontratës do të vijojë me përcaktimin e tyre, dhe më pas vijojnë që nga dërgimi i një plani mitigues për rregullimin e pasojave të kontratës, që mund të rezultojë në shtyrje të afatit të kontratës konçensionare apo edhe zgjidhje të njëanshme të kontratës koncesionare në varësi të argumentave”, tha Karakaçi.
Gjatë një konference me gazetarët, Karakaçi u ndal edhe te rruga Milot-Balldren, duke njoftuar se fituesi i tenderit do të shpallet brenda javës së parë të qershorit, për t’i hapur rrugën më pas projektit që do të shfrynte trafikun drejt veriut.
“Është një procedurë koncesioni e hapur, jemi në fazë të vlerësimit të ofertave, brenda majit, fillimit të qershorit do të shpallim një fitues. Ajo që është e rëndësishme të thuhet është që po, rruga do të bëhet dhe do të jetë e kategorisë A”, tha ministri.
Sa i takon trafikut që vijon në autostradën Tiranë-Durrës, pavarësëisht zgjerimit të 6 kilometrave të parë, ministri u shpreh se projekti është në vijim, duke përfshirë edhe shembjen e mbikalimit të Rinasit.
“Hinka krijohet përsëri, por trafiku është shumë i ndryshuar, kishim një problematikë në një mbikalim, në rrugën që të çon për në Rinas dhe u detyruam ta bllokonim një korsi. Patjetër, e dimë që është hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit, por kemi kontratën në fuqi që po zbatohet dhe mund të shihen punimet pas mbikalimit të Rinasit. Do të shembim mbikalimin e Rinasit, do të krijojmë një mbikalim të ri me 4 korsi. Kjo do të japë edhe një shfryrje më të madhe të trafikut. Përsa kohë që këto financime bëhen nga buxheti i shtetit, do të vijojë të jetë pa pagesë”, tha ministri.
Enea Karakaçi shtoi se brenda vitit 2027 do të jetë në funksion edhe hekurudha Tiranë-Durrës, duke rikthyer stacionit e Trenit aty ku ka qenë në kryeqytet.





