“Më pak autobusë të transportit publik do të jenë në dispozicion të qytetarëve duke filluar nga dita e nesërme. Shoqata e Transportit Publik, përmes një letre drejtuar institucioneve, ka vënë në dijeni se flota e transportit urban qytetas do të ulet me 20-30%.”
“Problemi qëndron te fakti se, kur u bë takimi i parë për kompensimin e periudhës mars-maj, i cili është marrë tashmë, u diskutua që, nëse rritja e çmimit të naftës do të vazhdonte deri në gusht, do të kishte një kompensim të dytë. Deri tani nuk ka pasur asgjë”, shprehet Dashnor Mema, kryetar i Shoqatës së Transportit.
Institucionet, deri tani, sipas Shoqatës së Transportit, nuk janë vënë në lëvizje.
“Deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar, por vetëm disa telefonata për t’u ulur dhe për të folur. Por ne jemi të detyruar për reduktimin e flotës tashmë dhe, nëse do të ketë lëvizje nga ana e institucioneve, theksoj se do ta normalizojmë situatën”, shprehet Mema.
Reduktimi i flotës ditën pritet të sjellë vonesa, kaos dhe mbingarkesë.
“Po të marrim një shembull, në javët më të përpara koha e pritjes në stacion për një operator ishte 6 minuta. Duke filluar nga nesër, mund të shkojë edhe në 10 deri në 12 minuta”, thotë Mema.
Nga të dhënat numërohen rreth 360 autobusë të transportit urban, ndërsa me uljen e ditës së martë pritet që numri të shkojë deri në 252 autobusë urbanë.





