E mërkurë, 28 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Gjermania kërkon raketa me rreze të gjatë, kompania amerikane planifikon prodhim masiv pranë Leipzigut

Kompania amerikane e mbrojtjes Covenant planifikon të nisë prodhimin e raketave me rreze të mesme veprimi pranë Leipzigut nga viti 2027, sipas burimeve të cituara nga Reuters.

Kapaciteti i prodhimit mund të arrijë deri në 1,000 raketa në vit. Raketat pritet të kenë një rreze veprimi prej më shumë se 1,500 kilometrash, ndërsa detajet e tjera teknike ende nuk janë bërë të ditura.

Reklamë

Sipas burimeve, një raketë mund të kushtojë disa qindra mijëra dollarë, dukshëm më pak se raketat Tomahawk, të cilat kushtojnë rreth 2 milionë dollarë, në varësi të versionit.

Covenant po zhvillon gjithashtu një raketë lundruese të quajtur “Anthem”, por ende nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për sistemin që do të prodhohet pranë Leipzigut.

Reklamë

Planet vijnë në një kohë kur Gjermania po kërkon të rrisë aftësitë e saj për goditje në distanca të gjata, duke u fokusuar te raketat që mund të prodhohen në sasi të mëdha dhe me kosto më të ulët.

Sipas raportimeve, Ministria gjermane e Mbrojtjes i ka dërguar tashmë Covenant kërkesa për oferta. Kompania pritet të krijojë zinxhirë furnizimi dhe linja prodhimi në Evropë, ndërsa pjesa më e madhe e komponentëve mund të prodhohet në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Covenant është një kompani relativisht e re, e themeluar në vitin 2024, me aktivitet edhe në Izrael. Ajo mbështetet nga investitorë amerikanë të teknologjisë dhe kapitalit, përfshirë Andreessen Horowitz dhe Founders Fund.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Berlini do t’i blejë raketat e kompanisë dhe deri ku kanë avancuar negociatat.

Vazhdo të lexosh

Reklamë