Brenda pesë ditëve, në universitetet e vendit është realizuar mbi 50% e regjistrimeve të maturantëve, ndërsa dega e mjekësisë së përgjithshme ka plotësuar numrin e kuotave që në fazën e parë.
“Ky numër është më i lartë se në vitet e kaluara dhe besoj se është një nga ecuritë më të mira. Përgjithësisht, shkencat mjekësore kanë pasur numrin më të lartë të regjistrimeve gjatë fazave të para, duke qenë edhe programet më të kërkuara për momentin. Grupi i dytë, Inxhinieria dhe IT-ja, përbëjnë 25 për qind dhe kanë potencial për t’u rritur”, thotë Arjan Xhelaj, drejtor i RASH.
Rreth 13% e të regjistruarve janë orientuar drejt degëve tradicionale si Ekonomi dhe Financë, ndërsa kërkesë ka pasur edhe për Drejtësinë.
Ecuri pozitive kanë shënuar programet profesionale dyvjeçare, të cilat kanë tërhequr rreth 7.5% të të regjistruarve. Ndërkohë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega më e kërkuar rezulton Matematika. Mbi 40 % e kuotave të kësaj dege janë plotësuar.
“Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës udhëheq dega e Matematikës. Ka mbi 40 për qind të regjistrimeve të realizuara në raport me numrin e kuotave, më shumë sesa IT-ja për momentin. Kjo tregon se maturantët orientohen drejt degëve që ofrojnë perspektivë, një spektër më të gjerë punësimi. Me një fushë në ciklin e dytë në teknologji informacioni i kompletohet”, thotë Xhelaj.
Universiteti i Tiranës kryeson deri më tani me mbi 1.000 studentë të regjistruar, ndërsa të dhëna pozitive janë shënuar edhe në Universitetin e Durrësit. Nëse ky ritëm vijon, parashikohet që deri në mbyllje të raundit të parë të realizohen 80 deri në 85% e regjistrimeve.





