E diel, 1 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 07:00 Në vijim ora 07:00: Lajme Ora 7:00 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Kamera inteligjente në shkolla, Rama: Siguria e fëmijëve mbi gjithçka

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të planit për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin.

Rama kujtoi ngjarjen tragjike të ndodhur në shkollën “Fan Noli” të Tiranës, ku u vra Martin Cani, pas së cilës, tha se mori përsipër të sillte teknologjinë më të avancuar në shërbim të sigurisë në shkolla.

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje”, shprehet kryeministri.

Sipas Ramës, kamerat e reja nuk kufizohen vetëm në monitorimin e ambienteve, por kanë aftësi për të identifikuar dhe sinjalizuar në kohë reale situata të caktuara, duke njoftuar drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë apo Policinë e Shtetit.

Reklamë

“Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se 20 shkollat e Tiranës janë vetëm faza e parë e këtij procesi, ndërsa pajisja me teknologji inteligjente do të shtrihet gradualisht në shkolla të tjera në vend.

“Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, përfundoi Rama.

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë