Studiuesi dhe profesori Sazan Guri ka deklaruar se shqiptarët kanë aftësi të veçantë për të mësuar shpejt gjuhët e huaja, duke argumentuar se një gjuhë europiane mund të mësohet brenda më pak se gjashtë muajve.
I ftuar në emisionin “Mes Drite” në “Vizion Plus”, Guri u shpreh se kjo lidhet me strukturën fonetike të gjuhës shqipe dhe numrin e madh të tingujve që ajo përmban.
Sipas tij, shqipja ka një sistem të pasur fonemash dhe tingujsh që e bën më të lehtë për shqiptarët përvetësimin e gjuhëve të tjera. Ai shtoi se shqipja lexohet ashtu siç shkruhet, ndryshe nga shumë gjuhë europiane që kanë rregulla të ndryshme shqiptimi.
“Një shqiptar mund ta mësojë një gjuhë europiane për gjashtë muaj. Unë e kam thënë që mund ta mësojë edhe më shpejt akoma. Kjo ndodh sepse shqiptarët kanë 36 shkronja, të cilat në fakt fillimisht kanë qenë 53.. Gjuha shqipe i ka të gjitha fonemat bashkëtingëllore dhe tingëllore që prodhojnë tinguj, duke imituar edhe zhurmat në natyrë . Ne kemi zanore të plota; për shembull, vetë shkronja “O” mund të ndahet në tre apo katër lloje zanoresh të tingëllueshme që japin kuptim, veçori kjo që gjuhët e tjera nuk e kanë
Gjuhët latine kanë vetëm 26 fonema, ashtu si edhe greqishtja. Kjo është arsyeja pse ne prodhojmë më shumë tinguj.
Shqipja është e vetmja gjuhë në botë që e lexon “ABC-në” (unë e quaj ABC dhe jo alfabet) ashtu siç shkruhet. Një anglez, gjerman apo francez nuk e lexon shkronjën thjesht si tingull, por me shtesa (si p.sh. “B-në” e lexojnë “bi”), ndërsa ne e lexojmë çdo gërmë pastër.
Në vitin 1761, Grigor Voskopojari e riformatoi ABC-në duke përdorur figura të caktuara, ku çdo gërmë lidhej me një simbol: shkronja “G” përfaqësohej nga gota, shkronja “C” nga cingulia ose masha, dhe “K” nga mangalli. Gjithashtu, figura e dorës, e ngjashme me hieroglifet egjiptiane, përfaqëson shkronjën “D” Pra, jemi e vetmja gjuhë që e lexon ABC-në në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa shtesa”, tha ai.
/vizionplus.tv
View this post on Instagram





