Kjo e enjte shënoi nisjen e votimit për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar përmes postës në zgjedhjet parlamentare te 7 qershorit. Në total pjesë e procesit pritet të jenë rreth 105 mijë persona.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Komisioni Zgjedhor ka sqaruar hapat që duhen ndjekur nga qytetarët për realizimin e votimit me postë.
Çdo person i regjistruar do ta marrë fletën në një pako në adresën e banimit të deklaruar prej tij. Pas pranimit, qytetarët duhet të plotësojnë fletëvotimin, ta vendosin atë në zarfin e fshehtë dhe më pas, bashkë me dëftesën e regjistrimit ta vendosin në një zarf të dytë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre, në mënyrë që ajo të arrijë në kohën e duhur në kutinë postare dhe më pas ajo të tërhiqet për t’u sjellë në Kosovë për numërim.
Procesi pritet të zgjasë deri në datën 6 qershor./vizionplus.tv





