Pas skandalit në komisariatin e Sarandës, ku u arrestua thuajse gjithë zinxhiri drejtues i Policisë lokale, pasi kishin lejuar ndërtimin e një strukture pa leje, Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari paralajmëroi një aksion në të gjithë vendin, me fokus bregdetin.
“Aksioni do të shtrihet në të gjitha qytetet bregdetare në kuadër të luftës ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit. Kjo nuk do të vlejë vetëm për Sarandën dhe duhet t’i mbrojmë me çdo kusht hapësirat publike. Pa dyshim që, nëse do të ketë raste, reagimi do të jetë i menjëhershëm”, tha Lamallari.
Sa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit, Lamallari tha se në bashkëpunim me Guardia di Finanza do të shtojne kontrollet në zona të veçanta për parandalimin e këtij fenomeni.
“Nga data 1 korrik deri më 31 gusht do të zhvillohen patrullime të shtuara dhe shërbime 12-orëshe, si dhe do të ngrihen stacione të përkohshme policore në zona si Valbona, Thethi, Gjiri i Lalzit, Komani, Ksamili dhe Talea, ndërsa do të aktivizohet edhe Policia Detare. Përveç përdorimit të helikopterëve, këtë vit do të ketë si risi edhe përdorimin e një avioni të posaçëm që do të transmetojë në kohë reale koordinatat e zonave me rrezik të lartë, ku mund të evidentohen tentativa për kultivim të paligjshëm të kanabisit”, tha Lamallari.
Ministri u ndal edhe te sezoni turistik, për të cilin Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e sigurisë.
“Në disa zona të veçanta ku ka flukse turistike do të rriten kontrollet. Ajo që doja të theksoja është se Shqipëria po spikat për përpunimin e pasagjerëve që futen në Shqipëri. Nga policia është minimizuar pritja nëpërmjet portave E-Gates dhe kjo do të ndiqet kudo, edhe në Portin e Durrësit, në mënyrë që të kemi lehtësim të kontrolleve kufitare për pasagjerët”, u shpreh Lamallari.
Smart City është një tjetër risi për të garantuar sigurinë në shkolla, ku sipas Lamallarit, viti i ri shkollor do ta gjejë vendin me 21 shkolla të pajisura me kamera me inteligjencë artificiale, që do të zëvendësojnë monitorimin nga njerëzit.





