Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj rasteve të paligjshmërisë dhe bashkëpunimit të punonjësve të policisë me elementë kriminalë, duke iu referuar rastit të fundit në Sarandë, ku u arrestuan disa efektivë policie, përfshirë edhe shefin e Komisariatit.
Në një konferencë për mediat këtë të mërkurë, Lamallari tha se gjatë vizitës së tij në Sarandë, hetimet paraprake zbuluan një rast të dyshuar ndërtimi pa leje, ku dyshohet se ishin të përfshirë edhe punonjës policie.
“Jeni në dijeni për vizitën time në Sarandë, ku nga hetimet paraprake, u bë e mundur goditja e një rasti të dyshuar paligjshmërie, ku punonjës policie bëhen palë me krimin. Bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se institucionet do të vijojnë kontrollet dhe hetimet për ndërtimet pa leje dhe krimet mjedisore, ndërsa paralajmëroi masa më të ashpra për shkelësit.
Sipas tij, IKMT ka intensifikuar verifikimet në terren, duke kaluar nga vendosja e gjobave edhe në referime penale dhe përgjegjësi ligjore.
“Ky është një mesazh për këdo tjetër, që llogaritë duhet t’i bëjë mirë. Mbrojtja e territorit është prioritet i qeverisë shqiptare”, deklaroi Lamallari.
/vizionplus.tv





