Qershia e Elbasanit ka çelur më herët sezonin në tregjet vendase. Në zonën kodrinore të Bathësit, ky frut vijon të mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë banorë.
Prej më shumë se 25 vitesh, vëllezërit Yzeiri merren me kultivimin e qershisë, duke e kthyer atë në bazën ekonomike të familjes.
“Prej vitesh punojmë vetëm me forcat tona. Qershia na mban familjen dhe vazhdojmë të investojmë çdo sezon”, shprehet fermeri Ferdinand Yzeiri.
Edhe pse aktualisht çmimi ka nisur të bjerë, fermerët thonë se kultura e qershisë mbetet ende fitimprurëse.
“Ky ka qenë një sezon i mirë, por kemi frikë se deri në fund çmimi do të bjerë edhe më shumë”, thotë Bashkim Yzeiri.
Shqetësimi kryesor për fermerët mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe sigurimi i ujit për vaditje.
“Punojmë të gjithë familjarisht, sepse është e vështirë të gjesh krah pune dhe uji për vaditje është problem çdo vit”, shprehet Valentina Yzeiri gjatë vjeljes së qershive.
Edhe këtë sezon, fermeret zonës janë angazhuar së bashku në vjeljen dhe tregtimin e prodhimit, duke shpresuar që qershia të vijojë të mbetet një kulturë fitimprurëse.





