Disa persona janë shoqëruar në polici pas grabitjes së armatosur të argjendarisë në Kamëz.
Të shoqëruarit janë njerëz me precedentë penalë në zonë, por janë thirrur vetëm për verifikime.
Itinerari i grabitësve, pasi vodhën një sasi ari dhe argjendi ishte drejt Zallherrit, ndërsa nga kamerat e sigurisë vihet re që ata janë treguar të kujdesshëm që të mos e zbulonin në asnjë moment fytyrën e tyre.
Në çdo sekuencë të pamjeve të policisë ata kanë qenë të maskuar, ndërsa në një moment janë rrëzuar, e më pas kanë vazhduar të largohen pa gjurmë.
Mesditën e të shtunës, dy grabitës nën kërcënimin e armëve u futën në një argjendari shumë pranë komisariatit numër 5 në Kamëz, ndërsa kanë vjedhur bizhuteri dhe sende të tjera me çmuara.
Në pyetje është marrë edhe punonjësja, e cila ka deklaruar se nuk është përballur me grabitësit, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.





