Shqipëria po përgatitet për një tjetër lajm të mirë nga Brukseli në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Kete e bëri te ditur kryeministri Edi Rama në podkastin e përjavshëm “FLASIM”, ku u shpreh se po hapet rruga për mbylljen e kapitujve të negociatave.
“Së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në ‘varkën e Shqipërisë europiane’, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë komentoi edhe miratimin e rezolutës më 14 maj, me 114 vota të mazhorancës dhe opozitës së bashku, ku sipas tij vetë demokratët, në mënyrë indirekte, kanë pranuar se nuk ka bllokim të negociatave.
“Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapëseprapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston”, shtoi Rama.
Rama foli edhe në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve në vendin tonë, si një hap në luftën kundër korrupsionit.
“Sot, në bazë të vlerësimit europian, Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë kryesorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Për shembull, ndërsa mesatarja e procedurave me një ofertues në vendet e BE-së është mbi 32%, në Shqipëri kjo shifër është 23.5%, ndërsa në prokurimet për punë publike ajo zbret në 12%”, tha Rama.
Qeverisë i kërkohet raportim periodik për negociatat, përshpejtim i reformave në grupkapitullin e parë “Themeloret”, transparencë në prokurimet publike dhe përfshirje më e gjerë e opozitës dhe shoqërisë civile në vendimmarrje.





