Rënia e lindshmërisë vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha demografike në Shqipëri, por të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT sjellin një sinjal pozitiv. Në tremujorin e parë të vitit 2026, lindjet shënuan një rritje prej 1 %, ndërsa vdekjet pësuan rënie me 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ekspertët vlerësojnë se në këto shifra kanë ndikuar disa faktorë.
“Një ndër arsyet që mund të ketë çuar në rritjen e lindshmërisë lidhet me faktin që çiftet e reja janë ndërgjegjësuar më shumë për të sjellë në jetë fëmijë, çiftet po tentojnë të sjellin në jetë fëmijë edhe falë metodave të njohura si Fertilizim In Vitro që po ashtu mund të ketë dhënë rezultat, mbase të tjera arsye lidhen me jehonën që mund të kenë patur disa masa që do nisin dhe që kanë të bëjnë me rritjen e bonusit të bebeve. Ndërsa sa i takon rënies së vdekshmërisë mendoj që kjo mund të lidhet me kujdesin shëndetësor që popullata ka për veten që mund të jetë reflektuar edhe me kontrollet e vazhdueshme që mund të kenë bërë qytetaët, më shumë ndërgjegjësim”, tha sociologia Entela Binjaku.
Sipas të dhënave, Tirana vijon të mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve në vend, ndërsa Gjirokastra dhe Dibra raportojnë numrin më të ulët.
“Sa i takon qarkut me më pak lindje, gjithë qarku i Gjirokastrës dhe i Dibrës janë dy qarqet që kanë rezultuar me më pak lindje. Sa i takon qarkut të Gjirokastrës është qark i prekur shumë herët nga emigrimi. Është një qytet kufitar dhe popllatat e re ka emigruar dret Bashkimit Evropian. Po ashtu qarku i Dibrës është prekur nga emigrimi dhe janë larguar në masë të madhe ose drejt Tiranës ose drejt kufijvë dhe kjo është reflektuar më pak lindje më pak të martuar”, shtoi Binjaku.
Edhe pse statistikat e tremujorit të parë të vitit 2026 konsiderohen pozitive, ekspertët nënvizojnë nevojën për politika më të forta në mbështetje të familjeve të reja, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës demografike.
“Masat kryesore që do duhet të merren veçanërisht në qarqet ku është prekur më tepër ky aspekt janë kreditimi i familjeve të reja. Masa të reja që i takojnë kryesisht sipërmarrjeve të vogla, familjarë që mund të shikojnë tek vetja një mundësi por pamundësia ekonomike i bëjnë të hezitojnë. Një masë tjetër do të ishin edhe programet e ndryshme veçanërisht trajnuese për ti ngritur aftësitë e të rinjëve kryesisht në këto qarqe në një nivel tjetër, drejt punësimit apo sjelljes së më shumë të ardhurave”, tha Entela Binjaku.
Ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2026, statistikat tregojnë se u regjistruan 368 vdekje më shumë se lindje, çka tregon se sfida demografike mbetet ende prezente.





