Radhë të gjata dhe pritje që zgjasin deri në dy orë vijojnë të jetë problematika në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës për qytetarët shqiptarë dhe emigrantët që udhëtojnë drejt Greqisë.
Qytetarët shprehen se detyrohen të qëndrojnë për orë të tëra në tokën neutrale, për shkak të punës me sportele të reduktuara nga pala greke. Situata është rënduar edhe më shumë pas aplikimit të sistemit të ri të kontrollit për vendet e zonës Shengen, i cili ka sjellë vonesa të konsiderueshme në procedurat e kalimit kufitar.
Në Kapshticë pamjet tregojnë radhë të gjata automjetesh që arrijnë deri pranë doganës shqiptare, ndërsa pala greke po punon vetëm me një sportel.
Shumë prej udhëtarëve janë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por edhe qytetarë që kalojnë shpesh kufirin për t’u furnizuar me produkte ushqimore apo për arsye familjare e ekonomike.
Edhe pse janë zhvilluar disa takime mes autoriteteve shqiptare e atyre greke për të gjetur një zgjidhje, situata vijon të mbetet problematike, sidomos gjatë fundjavave dhe periudhave me fluks të lartë lëvizjesh.
Deri në një zgjidhje konkrete, qytetarët do të vazhdojnë të përballen me pritje të gjata dhe vështirësi në kalimin e kufirit në Kapshticë.





