Bashkimi Europian po punon për një ligj që synon të frenojë modelet e biznesit të rrjeteve sociale, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve. Të paktën, kështu deklaroi këtë të martë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Dëmet e shumta që u shkaktohen fëmijëve dhe adoleshentëve nga ekspozimi ndaj rrjeteve sociale nuk janë rastësi, “por rezultat i modeleve të biznesit që e trajtojnë vëmendjen e fëmijëve tanë si mall”, tha ajo gjatë një fjalimi në Kopenhagen.
Von der Leyen shtoi se Bashkimi Europian po fokusohet veçanërisht te TikTok, X dhe platformat e Meta-s: Instagram dhe Facebook.
“Po ndërmarrim masa kundër TikTok-ut dhe dizajnit të tij që krijon varësi, si ‘scroll’-i i pafund, riprodhimi automatik dhe njoftimet push. E njëjta gjë vlen edhe për Meta-n, sepse besojmë se Instagram dhe Facebook nuk po zbatojnë siç duhet kufirin minimal të moshës 13 vjeç”, deklaroi ajo, citon La Repubblica.
Komisioni Europian ka nisur gjithashtu procedura kundër platformës X për përdorimin e mjetit të inteligjencës artificiale Grok në krijimin e imazheve seksuale të grave dhe fëmijëve.
Von der Leyen shtoi se deri në fund të vitit, Komisioni synon të godasë “praktikat e dizajnit që krijon varësi dhe është i dëmshëm”, si “kapja e vëmendjes”, kontratat komplekse dhe “kurthet e abonimeve”.
Presidentja e Komisionit Europian mbështeti gjithashtu vendosjen e rregullave të rrepta për të ndaluar aksesin në rrjetet sociale për adoleshentët nën një moshë të caktuar.





