Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të dy policive, u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve policore dhe rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet dy policive, si një faktor kyç në garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Nga ana e tij, Hita falënderoi drejtuesit e Policia e Kosovës për mikpritjen dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Policia e Shtetit për ta thelluar më tej bashkëpunimin me Policia e Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, u shpreh Hita.
Gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet strategjike të dy institucioneve, sfidat aktuale të sigurisë dhe nevoja për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera që cenojnë sigurinë rajonale.
Të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në shkëmbimin e informacionit, hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore, si dhe në menaxhimin e sigurisë kufitare, duke theksuar se rezultatet e arritura janë dëshmi e besimit reciprok dhe profesionalizmit të strukturave policore të të dy vendeve.
Takimi u mbyll me zotimin e përbashkët për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimin e tij në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.





