Kryedemokrati Sali Berisha, në seancën parlamentare të së enjtes, ka akuzuar qeverinë për heqjen e subvencionit të naftës për fermerët.
Në fjalën e tij, Berisha tha se, ndryshe nga çdo vend tjetër i Evropës, qeveria shqiptare, në kulmin e rritjes së çmimit të naftës, në vend t’i ndihmojë fermerët, ua heq subvencionin.
“Ju jeni e vetmja qeveri në Evropë e cila, në kulmin e çmimeve të naftës dhe gazit, u hiqni fshatarëve subvencionin për naftën dhe gazin. A ka cinizëm më të madh se ky, a ka akt më të papërgjegjshëm? Kjo është një politikë jo vetëm e varfërimit të fermerëve, por edhe e largimit të shqiptarëve. Ju vidhni, kurse shqiptarët marrin rrugët e dheut. Si ka mundësi që, në kulmin e shtrenjtimit të naftës, ju u thoni atyre se ua hiqni edhe subvencionin e naftës, subvencionin të cilin e kanë të gjitha vendet evropiane? Lexoni e shihni: me 1500 lekë në pompë e shet Maqedonia, por fermerëve ua jep me një çmim nën 1000; po kështu Kosova, Serbia, po kështu çdo vend evropian. Ndërkohë, kreu juaj i thoshte një fermeri që Evropa e ka hequr këtë, ndërkohë që Evropa e ka dyfishuar”, tha Berisha.





