Mbrëmja e dhjetë e spektaklit“Ferma VIP 3”, transmetuar në ekranin e Vizion Plus, solli një rrjedhë emocionesh të forta , vendime të papritura dhe surpriza të paparashikuara për publikun dhe fermerët.
Një nga momentet më të rëndësishme të kësaj nate ishte eliminimi. Që prej të premtes, Ervini dhe Dj Bujaka ishin në nominim kokë më kokë, pas humbjes së sfidës përballë Mozës. Ishin votat e publikut ato që vendosën fatin e tyre, duke ndërprerë rrugëtimin e Ervinit në “Ferma VIP”. Largimi i tij erdhi pas një rrëfimi tepër prekës, që preku jo vetëm fermerët brenda shtëpisë, por edhe publikun.
Nga ana tjetër, edhe Dj Bujaka përjetoi një moment shumë emocional, teksa u surprizua nga tre fëmijët e tij. Në rrëfimin e tij, ai i cilësoi ata si pasurinë më të madhe në jetë, duke ndarë gjithashtu edhe historinë e njohjes me bashkëshorten, në një moment që solli një tjetër dimension emocional në spektakël.
Në planin e marrëdhënieve brenda fermës, dinamika mes Fabiolës dhe Adionit ka pësuar një krisje të dukshme. Pas hyrjes së Fabianit, vëllait të Fabiolës, situata është tensionuar, duke sjellë distancim mes dy fermerëve. Bisedat mes tyre tregojnë një përpjekje për të ruajtur respektin dhe ndjenjat, por edhe një ndikim të fortë nga jashtë.
Një tjetër vatër tensioni është krijuar pas përzgjedhjes së filmit “Pasaporta”, nën regjinë e Eduart Grishaj, nga kryefermeri Romir. Fakti që aktori kryesor i filmit, Indri, është pjesë e fermës, ka nxitur diskutime dhe dyshime mes banorëve dukie e quajtur këtë zgjedhje si të qëllimshme dhe të lidhur me raportin e Indrit me Vanesën.
Ndërkohë një televotim i hapur deri të premten për 14 fermerë, i jep publikut të shpëtojë të preferuarin e tij ndërsa Agai do të jetë ai që vendos për fatin e më pak të votuarve duke i çuar në një sfidë.
Nata e 10-të e “Ferma VIP 3” konfirmoi edhe një herë se loja nuk zhvillohet vetëm përmes sfidave, por mbi të gjitha përmes historive njerëzore, emocioneve dhe marrëdhënieve që ndryshojnë nga momenti në moment, duke mbajtur publikun të përfshirë dhe të surprizuar në çdo hap të saj.





