Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në mbledhjen e Qeverisë se vendi po i afrohet një afati kushtetues, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion dhe se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.
“Kemi një afat kushtetues i cili po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, unë besoj që nuk është opsion. E zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta.”
Ai ka theksuar se kjo situatë kërkon vullnet për zgjidhje dhe kompromis politik, duke shtuar se asnjë parti nuk mund të pretendojë sigurimin e 80 apo më shumë deputetëve. Diskutimet, sipas tij, duhet të zhvillohen mbi bazën e rezultatit zgjedhor dhe në interes të vendit.
“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë. Andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga ato pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar.”
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar sërish këtë të hënë në ambientet e Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ky takim i paralajmëruar është i pesti me radhë midis tyre në funksion të kësaj çështjeje.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë ftesë të dielën për intensifikim të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e presidentit. Ajo ka theksuar se kjo është javë vendimtare dhe se mirëpret çdo lëvizje të partive drejt kompromisit.
Më 28 prill përfundon afati që Gjykata Kushtetuese ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Në të kundërt, dështimi i këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.
/vizionplus.tv





