Masa “arrest në burg” duhet të jetë përjashtim, jo rregull. Ky është parimi që vuri në lëvizje Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të thirrur në mbledhje Kolegjet e Bashkuara për vendimin e vitit 2011 që përdoret si praktikë unifikuese në caktimin e masave të sigurisë.
Gjykata u vu në lëvizje nga rasti i të paraburgosurit, Begtash Zeneli, i arrestuar për lëndë narkotike. Ai u lirua nga Apeli, duke u lënë në arrest shtëpiak. Por prokurori i çështjes u ankua në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rikthimin në burg.
Ky rast, sipas kryegjyqtarit Sokol Sadushi, nuk duhet të jetë i izoluar, por të ngrihet në nivelin e një praktike të re ligjore, pasi burgjet janë përmbytur nga të paraburgosurit.
Relatori i çështjes, gjyqtari Ilir Panda, tregoi si veprohet me praktikën aktuale.
“Si në rastin kur masa e sigurimit caktohet për herë të parë, ashtu edhe kur shqyrtohet zëvendësimi i masës ekzistuese, gjykata nuk ka detyrimin që të analizojë pse llojet e tjera të masës së sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton të argumentojë se masa e caktuar prej saj ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme.”, Ilir Panda, relator.
Panda thotë se do të duhet që masat e arrestit të caktohen në përputhje me Konventat Evropiane dhe gjykatat të arsyetojnë çdo vendim kur ka vend për një masë më të lehtë sigurie.
“Standardi i vendosur kërkon që paraburgimi të mos justifikohet vetëm me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, por me arsye konkrete përkatëse dhe të mjaftueshme të lidhura me rrethanat personale të të pandehurit, si rreziku i arratisjes, intimidimi i dëshmitarëve dhe përsëritja e veprës penale”, Panda
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe avokati i Begtash Zenelit thonë se arresti në burg duhet të bazohet jo vetëm te natyra e veprës penale, por tek individi që e kryen atë.
“Duhet të kemi parasysh, vendimi gjyqësor është ndaj një personi dhe është produkt i mbledhjes së provës dhe fakteve, jo vetëm juridik i prokurorit e gjykatës, por edhe social etj. Kam frikë se nëse do të jetë kategorike, do të jetë shumë problematike.”, Arqile Koça, Prokuror.
“Duhet vendim i individualizuar. Jo vetëm bazuar te vepra penale, por me personalitetin e personit të dyshuar, familja, e kaluara, vendlindja etj. Një intelektual nuk mund të vendoset njëlloj në paraburgim pas një gabimi që mund të jetë njerëzor, si dikush që është përsëritës. Duhen dy parime të zbatohen: parimi i prezumimit të pafajësisë dhe që i pandehuri nuk është i detyruar që të paraqesë prova për pafajësinë e tij”, Luan Hasneziri, avokat.
Pritet që 16 gjyqtarët të dalin me një vendim, data për të cilin nuk është shpallur ende.
/vizionplus.tv





