Nis gjykimi në themel për kryebashkiakun e arrestuar të kryeqytetit, Erion Veliaj. Gjatë seancës ai nuk ishte i pranishëm në sallën e Gjykatës së Posaçme, ndërsa kishte njoftuar gjykatën përmes një shkrese ku shprehej: “Nuk kam pasur seancë paraprake”.
Përmes mbrojtëses ligjore të caktuar kryesisht nga gjykata Valentina Todoresku, Veliaj bëri të ditur se nuk i janë vendosur në dispozicion fashikujt hetimore të dosjes, ndaj u kërkua pikërisht dokumentacioni i nevojshëm.
Këtë kërkesë gjykata e pranoi dhe urdhëroi oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit ta pajisë Veliajn me të gjithë fashikujt hetimorë.
E pandehur në proces krahas edhe 15 të tjerëve është edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Edhe kjo e fundit nuk ishte e pranishme në gjykatë, ndërsa avokati që e përfaqëson, Maksim Haxhija u shpreh se shkak është bërë shtatzania e saj.
Avokati shtoi se gjykata është në thyerje të ligjit, pasi i pandehuri Veliaj nuk disponon materialet e nevojshme për të kryer mbrojtjen.
Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim. SPAK, që përfaqësohet nga Ols Dado u shpreh se qëndrimi i prokurorisë së posaçme ndaj të pandehurve mbetet i pandryshuar por, në kushtet kur disa nga avokatët dhe të pandehurit mungojnë seanca e parë nuk mund të zhvillohet. Data e ardhshme do të jetë në 24 mars.





