Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka mbështetur të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium për përdorim paqësor, mes presioneve që po i bëhen Teheranit nga administrata amerikane.
Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Lavrov deklaroi se Irani, ashtu si çdo vend tjetër pjesë e Marrëveshjes për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ka të drejtën e plotë të pasurojë uranium për qëllime civile.
Ai theksoi gjithashtu se Rusia nuk do të ndërhyjë në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.
“Ne do të mbështesim çdo vendim që do të pranohet nga vetë palët negociuese, në këtë rast Shtetet e Bashkuara dhe Republika Islamike e Iranit”, deklaroi Lavrov.
Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor iranian.





