Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, prezantoi sot prioritetet aktuale në sektorin e shëndetësisë, me fokus të veçantë në reformimin e shërbimit onkologjik.
Ministrja Sala të ditur se bordi i QSUT-së ka miratuar krijimin e Qendrës së Gjirit, e cila do të ofrojë trajtim multidisiplinar për pacientet me kancer gjiri.
“2026 shënon nisjen e një reforme historike për sistemin spitalor shqiptar. Ngrihet grup pune multisektorial me përfshirjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor.
Prioritet është përgatitja e ndryshimeve për Komitetin Këshillimor dhe finalizimi i kuadrit institucional për vendimmarrje të bazuar në evidence, si dhe hartëzimi i situatës aktuale të sistemit spitalor: performanca, kapacitetet reale, shpërndarja gjeografike e shërbimeve dhe nevojat demografike”, tha ajo.
Po ashtu, Sala njoftoi se së shpejti pritet të vihet në funksion edhe akseleratori i tretë për trajtimet onkologjike.
Ministrja u ndal edhe te mungesa e medikamenteve dhe lista e barnave të rimbursueshme, duke theksuar se janë marrë masa për të siguruar furnizim më të qëndrueshëm dhe për standardizimin e protokolleve të trajtimit sipas standardeve të BE-së.
“Kemi marrë disa masa për qendrueshmëri në furnizimin me barna. Ekipi është gjithmonë në alert për të adresuar situatat akute për pacientët, por duhet një zgjidhje e përhershme. Kemi punuar edhe për protokolle shumë të mira që linjat e trajtimit të jenë të standartizuara sipas BE, kjo bën që të kemi një furnim të qëndrueshëm”, tha ministrja.
Ndër prioritetet e tjera janë modernizimi digjital i sistemit shëndetësor, përfshirë integrimin e inteligjencës artificiale, si dhe ristrukturimi i shërbimit spitalor në vend.





