Në emisionin “Mes’Drite” në Vizion Plus, mjekja Dr. Sonila Bitri ngriti alarmin për rritjen e konsumit të kokainës në Shqipëri, duke e cilësuar fenomenin si një “epidemi sociale, psikologjike dhe kulturore”.
Sipas saj, ajo që po vihet re gjithnjë e më shumë është normalizimi i përdorimit të kokainës, sidomos tek të rinjtë.
“Eksperiencat e pacientëve tregojnë se konsumimi ka nisur që në moshën 15-16 vjeç. Kryesisht kam pacientë rreth 25 vjeç, por në anamnezë referojnë se fillimet i kanë që në moshën 16-vjeçare”, tha Dr. Bitri.
Mjekja theksoi se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e adoleshentëve, si largimi nga familja, ulja e performancës në shkollë, nervozizmi, pagjumësia dhe luhatjet e humorit.
Si të dalloni që fëmijët apo adoleshentët mund të jenë duke përdorur substanca?
“Unë i mëshoj fort, si mjeke, por edhe si prind sepse jam vetë prind kontaktit të vazhdueshëm me një adoleshent apo me një të ri. Adoleshenca është periudha më me rrezik për sa i përket ndërgjegjësimit të efekteve anësore të substancave.
Një prind i kujdesshëm e kupton kur diçka nuk po shkon me fëmijën apo adoleshentin e vet. Një largim më i gjatë se zakonisht nga shtëpia, ulja e performancës në shkollë, mungesa e interesit për të qëndruar me familjarët, nervozizmi, pagjumësia, acarimi dhe luhatjet e humorit, të gjitha këto janë shenja që diçka nuk funksionon.
Pra, duhet të dyshojmë për konsumim të substancave. Kryesisht, janë pasojat psiko-emocionale ato që shfaqen të parat”, tha mjekja.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që sjell konsumimi i kokainës.
“Kokaina nuk vepron vetëm në sferën psikike, por dëmton rëndë organet fizike. Zemra është organi që shkakton fatalitete nga overdoza ose konsumimi”, u shpreh mjekja.
Dr. Bitri tha se jeta e natës mbetet një nga ambientet ku substanca është më e aksesueshme, ndërsa shtoi se shumë persona bien në kurthin e mendimit se mund ta kontrollojnë vetë përdorimin.
“Me dhimbje them se në Shqipëri kokaina gjendet kudo; pacientët referojnë se e kanë më të vështirë të gjejnë një kafe sesa kokainë”, deklaroi ajo.
Sipas mjekes, varësia nga droga prek jo vetëm individin, por edhe familjen dhe jetën sociale e profesionale të tij. Megjithatë, ajo theksoi se rehabilitimi është i mundur në çdo fazë.
“Asnjëherë nuk është vonë. Kemi pacientë me 20 vite konsum që janë raste suksesi”, përfundoi Dr. Sonila Bitri.
/vizionplus.tv





